_per_Kosova_Info

Presidenti i Paraguait flet për Kosova Info

Presidenti i Paraguait flet për Kosova Info

14.08.2012 | 13:40

 

 

Historik i shkurtër

Më 22 Qershor, 2012, në mes të duartrokitjeve të anëtarëve të Kongresit, Presidenti i sapo zgjedhur Federiko Franko veshi mbi kostumin e tij  shiritin presidencial që simbolikisht përfaqëson dorëzimin në duart e tij të pushtetit politik të popullit Paraguaian, dhe natyrisht mori mbështetjen e plotë të legjislativit për ushtrimin  e mandatit të tij presidencial, që do të zgjas vetëm 13 muaj.

Në fjalën e tij, Presidenti Franko i bëri thirrje për bashkëpunim kongresit nacional dhe të gjithë sektorëve të tjerë social dhe fetar, një stil ky ndryshe nga para-ardhësi i tij, Fernando Lugo, i cili ka neglizhuar vazhdimisht bashkëpunimin me pushtetin legjislativ dhe me shoqërinë civile gjatë tre vjet e dhjet muaj kur ai ishte në pushtet.

Që në fillim të mandatit në 2008, Dr. Franco, si zv. President, nuk ka patur marëdhënie positive me ish presidentin Lugo, për të  ndarë përgjegjësitë e administrimit të vendit ashtu siç e kërkon Kushtetuta e Republikës.

Në takimet me njerëzit, Dr. Franko është gjithmonë i pranishëm në orarin e caktuar.  Më kujtohet, më 1 qershor, 2012, ish Presidenti Fernando Lugo, ishte duke realizuar një vizitë shtetërore në  Azinë e largët për 22 ditë rresht, dhe presidenti në detyrë, Dr. Federico Franko, më kishte ftuar për të shkuar së bashku me helikopterin e tij, për të inauguruar një post policie në fshatin Itapuami, në qytetin e Luke-s (Luque).  Ne mbërritëm në kohë dhe të pranishëm ishin komisari i policisë së zonës bashke me fshatarët e gëzuar; ndërsa erdhën me vonesë zv. Komandanti i policisë së shtetit si dhe kryetari i bashkisë së qytetit Luke (Luque).  Një aktivitet shumë interesant dhe që demonstronte fare hapur mbështetjen në popull që Dr. Franko gëzon në qytete të ndryshme të vendit. Më 3 Korrik, pata mundësinë të takohem sërish me Dr. Franko, tashmë të zgjedhur si president i republikës dhe munda të siguroj një intervistë të tij, e dhënë në pallatin presidencial Lopez, në Asuncion.

Biografi Politike

Presidenti Federiko Franko, u lind në Asuncion, më 23 Korrik, 1962. U pranua në Fakultetin e Shkencave mjekësore në Universitetin Shtetëror të Asuncion-it, dhe më 1986, mori titullin doktor në mjekësi dhe kirurgji.

Dr. Franko ka përfunduar gjithashtu studime pas universitare duke u specializuar në kardiologji.  Gjatë perjudhës 1991-1996, ka qenë anëtar i këshillit bashkiak në qytetin Fernando de la Morra; gjatë mandatit 1996-2001, u zgjodh kryetar i bashkisë së qytetit Fernando de la Morra.  Në vitin 2003, u zgjodh me vota të lira dhe demokratike, guvernator i provincës Central me një mandat pesë vjeçar.

Në zgjedhjet presidenciale të 20 Prillit, 2008, u zgjodh Zëvendës President i Paraguai-it, duke përfaqësuar Partinë Liberale Radikale Autentike në Aleancën Patriotike për Ndryshimin, nga e cila kandidat për president ishte Fernando Lugo Mendez.


Intervista

Kosova Info: Cila është situata politike dhe kontributi i Paraguait në promovimin e demokracisë në Amerikën e Jugut, marrëdhëniet midis Shteteve të Bashkuara të Amerikës  dhe Paraguait?

Franco: Përpara së gjithash, dua të theksoj se nesër do të jemi të pranishëm në festën e katër Korrikut, përvjetori i pavarësisë së ShBA, kështu që fjala ime e parë u drejtohet gjithë popullit amerikan dhe urime të përzemërta për këtë festë kaq të rëndësishme kombëtare. Në vend të dytë, Peter ne tani jemi të përqendruar plotësisht, në konsolidimin e qeverisë, dhe reformës në drejtësi, duke i dhënë qeverisje dinamike qytetarëve, dhe sapo të jenë realizuar këto objektiva do të impenjohemi më shumë në lidhje me marrëdhëniet me fqinjët dhe veçanërisht me bllokun tregtar, të ashtu quajturin Tregu i përbashkët i jugut, MERCOSUR.

Aktualisht prioriteti ynë është kryesisht i përqendruar në programet, dhe realizimin e projekteve të trashëguar nga qeveria para-ardhëse, në mënyrë që këto programe të jenë të dobishëm dhe ndihmojnë komunitetet rurale në vend. Ç’do gjë do të vazhdoj, do të përmbushim gjithë detyrimet tona ndërkombëtare, dhe mbi të gjitha jemi duke vënë në lëvizje dhe përshpejtuar ekzekutimin e projekteve që ndodhen aktualisht në Senat dhe në Dhomën e Deputetëve.  Jam i bindur se me këtë ritëm do të mund të përmirësojmë kushtet e jetesës së ç’do qytetari dhe kemi besimin se politikat tona sociale do të kontribuojnë në uljen e varfërisë në vend.

Kosova Info: Në ç’farë niveli është bashkëpunimi midis Bashkimit Europian dhe Paraguait?

Franco: Bashkëpunimi midis Bashkimit Europian dhe Paraguait ka arritur një shifër prej 130 milion Eurosh gjatë periudhës 2007-2013.

Interesi i BE-së në evolucionin politik dhe ekonomik të Paraguai-it vazhdon të jetë i lartë, jo vetëm në nivel bilateral por edhe në kontekstin rajonal të tregut të përbashkët të Jugut, (MERCOSUR), ku Paraguai bënë pjesë, gjithashtu edhe në Amerikën e Jugut.

Në Prill, 2012, u realizua mbledhja e komisionit të përbashkët Paraguai – BE, në të cilën u diskutua prioriteti i qeverisë në lidhje me arritjen e një kohezioni veprimesh midis sektorëve të ndryshëm politik dhe ekonomik, me qëllimin e vetëm për të gjetur një transformim strukturor që do të mundësoj një demokraci me mirëqenie dhe cilësi jetese më të lartë për qytetarët.

Ka tre fusha bazë të cilat jemi duke negociuar për bashkëpunimin e mëtejshëm ndërmjet BE-së dhe Paraguait:

Asistencë teknike, në mënyrë që vendi ynë të jetë konkurrues dhe prodhues, mbi të gjitha në rajonin tonë, dhe duke parë drejtë të ardhmes në pjesëmarrjen e gjerë të  prodhimeve tona brenda tregut të Bashkimit Europian.

Investim dhe industrializim:  Paraguai ka avantazhin të jetë  një bazë operative për shërbimet e prodhimit të Bashkimit European dhe

Bashkëpunim Politik:  Paraguai do të mbështes Bashkimin Europian në marrëdhëniet e këtij të fundit me vende të tjera në rajon, duke patur parasysh se demokracia i bënë të mundur vendit tonë të jetë lider në Amerikën e jugut, dhe mund të shërbej si një zëdhënës i Bashkimit Europian në Komunitetin e Shteteve Latino – Amerikane dhe Karaibe (CELAC).

Në Paraguai ka një progres të dukshëm në stimulimin e  efiçencës dhe bashkëpunimit ndërkombëtar të vendit tonë me vende të ndryshme si dhe me organizata ndërkombëtare.

Paraguai për herë të parë, ishte vendi organizator i Samitit të XXI Iberoamerikan, ku ishin të pranishëm presidentët e 22 vendeve të Amerikës Latine, përfshi edhe mbretin e Spanjës,  të cilët formojnë këtë bllok si dhe eksponent të organizmave ndërkombëtare të cilët u mblodhën në qytetet Luke dhe Asuncion, për të debatuar mbi reformat e qeverisjes dhe zhvillimin ekonomik Ibero-Amerikan.

Në vazhdim Organizata Botërore e Tregtisë (OBT) e ka vlerësuar vendin tonë për politikat ekonomike dhe tregtare të arritura dhe të implementuara, të cilat na kanë bërë të mundur dyfishimin e prodhimit të brendshëm bruto per capita në pesë vjetët e fundit.

Kosova Info: Si ju duket mungesa e mbështetjes politike nga blloku i vendeve të MERCOSUR dhe UNASUR kundrejt qeverisë suaj të sapoformuar?

Franco:  MERCOSUR më shqetëson më shumë, më shqetëson MERCOSUR sepse është një grup vendesh, një marrëveshje, treg i përbashkët ku lidhen interesat ekonomike dhe financiare. UNASUR nuk më shqetëson dhe aq shumë, ne e dimë fare mirë se në këtë aleancë, ka interesa të tjera, çështje ideologjike, dhe si rrjedhojë nuk është në prioritetin tim. Aktualisht MERCOSUR ka më shumë rëndësi për ne si një vend ish-anëtar dhe së fundmi i pezulluar në fund të Qershorit në Samitin e MERCOSUR në Mendoza, Argjentinë.

Kosova Info: Cilat janë prioritetet e qeverisë së Presidentit Federiko Franko në marrëdhëniet midis Paraguai-it dhe ShBA?

Franco: Së pari ruajtja e marrëdhënieve të mira miqësore, vazhdimi i mëtejshëm i programeve që janë duke u realizuar nga administrata Amerikane, madje do të  shikojmë mundësinë nëse ka programe të tjera të cilat mund t’i përfshijmë në planet tona të qeverisjes dhe marrëdhënieve dy-palësh.  Konsolidimi i zotimit tonë në luftën kundër kontrabandës, narkotrafikut, dhe natyrisht vendosmëria e shtetit kundër asaj që ne e quajmë Ushtria Popullore e Paraguay-it (Ejercito del Pueblo Paraguayo); Këto janë prioritetet tona për tani dhe sigurisht me kalimin e kohës do të kemi një prani më të madhe të asistencës Amerikane.

E dimë që prania e frytshme, bashkëpunimi i frytshëm i qeverisë Amerikane në programe si për shembull në luftën kundër drogës, në bashkëpunim me sekretarinë nacionale të anti-drogës (SENAD)gjithashtu edhe në programin që ndihmon në luftën kundër pronës intelektuale; janë projekte të cilat do t’i impulsojmë dhe përmirësojmë më tej në muajt e ardhshëm.

Intervistoi: Peter TASE

http://kosova.info/index.aspx?SID=13&LID=2&AID=5915&Ctype=1&ACatID=11

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s