Perviz2

“Kafen Shohim N’mikroskop”

“Kafen Shohim N’mikroskop”

nga  Peter TaseJanar 16, 201312:05

Një ish i burgosur politik nga Enver Hoxha, tani 82 vjeç, ka botuar në Shtetet e Bashkuara një përmbledhje këngësh të poetëve anonimë popullorë e që tregojnë se diktatori shqiptar nuk mund të impononte pamjen e idealizuar për Shqipërinë tek të gjithë banorët. Këngët janë dëshmi se shumëkush e shihte saktësisht ç’ndodhte në vend. Ata këndonin “Kafen shohim n’mikroskop…”.

Vëllimi “Lahutari Shqiptar” me këngë që u krijuan nga poetët anonimë popullorë gjatë kohës së diktaturës së egër komuniste në Shqipëri, i autorit Lek Pervizi, botuar më 2010, lexohet me një frymë dhe tregon një anë tjetër të Shqipërisë komuniste – disponimin kundër të një pjese të popullatës.

Lek Pervizi është 82 vjeç dhe “Lahutari Shqiptar” është libri i parë me poezi që ka botuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në shtëpinë botuese Lulu Enterprise, Inc. Aktualisht poeti Pervizi jeton në Bruksel, Belgjikë, ku ai është drejtuesi dhe redaktori i revistës Euro-Shqiptare, Kuq e Zi.

Përmbledhja e këngëve përfshin periudhën që nga pushtimi italian i 7 prillit 1939 deri në vitin 1992, përfshirë vitet e Luftës së Dytë Botërore, periudhë që njihet si ndër më të përgjakurat në historinë e Shqipërisë duke pasur parasysh kampet e internimit në çdo skaj të vendit ku shqiptarët e deklasuar dhe të persekutuar janë detyruar të bëjnë punë fizike dhe janë përballur me tortura nga më të egrat. Të internuarve/bashkëvuajtësve të Lek Pervizit u është dashur të punojnë në miniera me stomakun bosh, shpesh herë edhe të shtyrë me shkop nga gardianët e burgut.

Sipas disa historianëve, sundimi i regjimit komunist në Shqipëri ka qenë njëri ndër më të rreptit në kontinent. Por, kalvari i vuajtjeve të rreth 20 mijë ish-të përndjekurish politikë është tani i gjallë edhe pse shumë nga ata që ndanë fatin e Pervizit nuk ndodhen më mes nesh.

Është një kujtim që shqiptarët duhet ta kishin.

Autorët më të mëdhenj të eposit shqiptar mbeten zakonisht poetët anonimë. Në rastin e këtij vëllimi, ata kanë shprehur me finesë, ironi, sarkazëm dhe mallkim indinjatën e tyre për regjimin komunist.

Leka, sa herë që takohej me të dënuarit tjerë, shkruante në letër vargjet që ia thoshin shokët e që konsideroheshin “armiq të pushtetit popullor”.

“…Na s’kem qumësht as për fëmijtë,

As nji gotë e pikë për mallë,

Na ka zanë i madhi hall

Kafen shohim n’mikroskop

Buka e misrit me i ra n’top!…”

Foto: http://www.hist.tirana.cchnet.it

Foto: http://www.hist.tirana.cchnet.it

Duhet të jetë ky këndshikim që i mbante ata në burg. Në anën tjetër, tregon Pervizi, “shteti komunist planifikonte dhe servirte një folklor të zyrtarizuem e konformist që t’i shërbente regjimit, për të tregue se sa i lidhun ishte ky lloj pushteti me Popullin…”.

Por, sipas Pervizit, regjimi “harronte se ky popull, ndonëse i gjunjëzuem, i torturuem dhe i gjymtuem, ruente thellë në shpirtin e tij të pamposhtun, flakën e pashueme të qëndresës, që shpërthente përmes vargjeve të rrembyeshme epike, lirike apo satirike të rapsodëve e lahutarve të maleve ose përmes elegjive të grave vajtore, që thurëshin e këndohëshin brenda mureve të ngurta të kullave kala. Kështu ai i bani ballë stuhive shekullore dhe patjetër do të mund të përballonte edhe ato të disa vjetëve të diktaturës, shumë ma të  furishme.”

Forca e këtyre elegjive bën të mundur që Lek Pervizi të mbledhë energjitë dhe të hedh në një vëllim këngët e vuajtësve të tjerë bashkë me disa nga elegjitë e tij. Si biri i një gjenerali, Gjen. Prenk Pervizit, autori Pervizi, del i suksesshëm në luftën e tij të rikujtimit të historisë.

“Mallkue kjofshi krimmela

Që sajuet kampet me tela,

Mallkue kjofsh parti kulsheder,

Gjakatare dhe fort e egër!

Po kjajnë nanat ditë e natë

Për fëmijte e tyne t’ngratë,

Po kjajnë fëmijt po derdhin lot,

Nana e baba vdesin kot.

Enver Hoxha ka urdhnue,

Skifterr kjoftë e kjoftë mallkue!”

Kjo përmbledhje është një nga të vetmet materiale që tregonin disponimin e të internuarve dhe që tregon se vullneti i qytetarëve nuk ishte absolutisht pro-regjimit, siç paraqitej në atë kohë.

“Mjer Shqipnia mjer  Shqiptarët,

N’fuqi erdhën sllav-barbarët,

Komunistë e Shqipnisë,

Lidh pas qerrës së Rusisë,

N’krye të shtetit e t’qeverisë:

S’po lajnë krime për pa krye,

Burrat n’burgje tuj mbërthye,

Shumë tuj vra, tuj pushkatue,

Tuj djeg shpija, tuj rrenue,

Gra e fëmi tuj internue ….

—    –

“Në Kurbin malet gjïmojnë

Pyjet, grykat fort ushtojnë,

Shumë do trima po luftojnë;

Luftëtarë janë të lirisë

Bij të rreptë të Shqiptarisë.”

Vëllimi tregon se jo vetëm që mënyra e qeverisjes së Enver Hoxhës kundërshtohej nga shumë shqiptarë, por edhe se ata e shihnin politikën e tij si të huaj. Dhe askush nuk tregon histori më bindshëm sesa folklori.

Lexo artikullin tek  Gazeta JETA NE KOSOVE:

http://gazetajnk.com/?cid=1,964,4376

dhe tek ZEMRA SHQIPTARE

http://www.zemrashqiptare.net/news/id_30603/Peter-Tase:-Lek-Pervizi-koleksionisti-i-këngëve.html?skeyword=PETER+TASE

 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s